Shoqata “Vëllazërimi” pranë grave të sëmura ne ditën e Gruas.
Me rastin e ditës se gruas, shoqata “ Vëllazërimi” bëri një vizitë në një nga pavijonet e spitalit te Kryqit të Kuq. Ishte ky fillimi i një iniciative për tu gjendur në këtë ditë të shënuar pranë grave të sëmura dhe punonjëseve te këtij spitali. Pavijoni që vizituam ka pacient me sëmundje të rënda dhe të operuar nga aksidente të ndryshme në gjendje te rëndë. Takuam në këtë pavijon disa gra të shtruara shqiptare të cilat u befasuan për një moment por dhe u emocionuan kur dëgjuan t’ju drejtohemi në gjuhën shqipe.
Në bisedën e kryetarit të shoqatës Adriatik Arifi me njërën nga pacientet e cila ishte operuar kohët e fundit, pasi e pyeti për gjendjen e saj i dha kurajo me fjalët e tij. Ajo u përgjigj me sy të përlotur ‘’Kam dy fëmijë”, -tha, “njëri 15 dhe tjetri 7 vjeç, sakrifikojmë, jemi të fortë ne shqiptarët’’. Vizita jonë i bëri ato të buzëqeshnin për një moment dhe të harronin hallet e tyre, por dhe ne nga ana jonë të emocionuar i uruam shërim të shpejt, gëzuar festën e gruas duke i premtuar se do te shkojmë përsëri t’i vizitojmë. Ky nuk ishte një premtim i kotë, sepse shoqata “Vëllazërimi” ka filluar një bashkëpunim me këtë spital për t’iu gjendur pranë pacientëve shqiptarë që janë të shtruar duke iu dhënë kurajo dhe mbështetje psikologjike për të kapërcyer vështirësitë e sëmundjes së tyre.
Shefja e këtij pavijoni Stavrula Agjelidhu na informoi se shpesh herë kanë të sëmurë të cilët nuk kanë të afërmit e tyre pranë. Ata ndihen të vetëm dhe kanë nevojë për mbështetje psikologjike, për një fjalë të ngrohtë dhe kurajo për të vazhduar përpjekjet e tyre në jetë, prandaj shoqata jonë do të ndodhet gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar.
Në këtë vizitë u diskutua dhe me infermieret e këtij pavijoni, pasi iu ofruam nga një lule dhe i uruam për Ditën e Gruas. Ato na shpjeguan se për to pacientët e tyre janë të gjithë njësoj nuk ka rëndësi se çfarë kombësie apo feje kanë, vetëm se për to është tepër e vështirë kur pacienti nuk di greqisht dhe nuk munden ta ndihmojnë, prandaj në këto raste do mirëprisnin ndihmën tonë si shoqatë. Biseda vazhdoi dhe më tej në sallën e diskutimeve të spitalit, pasi na ofruan kafe u informuam se si mund të bashkëpunonim edhe në mënyra të tjera me Kryqin e Kuq. Në përshëndetjen e saj zonja Agjelidhu falënderoj gratë dhe nënat shqiptare, të cilat në gjithë këto vite në emigracion nuk kanë munguar të ofrojnë punën dhe kontributin e tyre në shoqërinë greke. Në këtë vizitë të shoqatës ‘’Vëllazërimi’’ përveç anëtareve të shoqatës mori pjesë dhe kryetari i “Unionit Shqiptar ne Greqi” Ardian Daullia i cili u shpreh se këto iniciativa janë për t’u marr shembull dhe duhet të ndiqen nga i gjithë komuniteti shqiptar në Greqi. Kjo frymë bashkëpunimi jo vetëm do ndryshoj paragjykimet por do të kontribuojë edhe në përmirësimin e raporteve të mëtejshme duke i përforcuar ato.